<

Prof. Ibrahim Madhi

Në datë 05.02.2014, në hollin e Universitetit të Arteve në Tiranë u bënë homazhet e ndarjes nga jeta të Violinistit të madh, Prof. Ibrahim Madhi.

Prof. Madhi në rrugëtimin e jetës së tij la pas kontributin e papërsëritshëm të vlerave të tij, të cilat padyshim do ta mbajnë të gjallë kujtimin dhe imazhin e tij ndër vite. Rektori i UART, Prof. Petrit Malaj, në këtë ditë tepër të rëndë për artin shqiptar pati nderin dhe barrën njëkohësisht për dhënien e lamtumirës këtij artisti.

Në fjalën e lamtumirës Rektori i Universitetit te Arteve, Prof. Malaj, shprehu keqardhjen e tij për humbjen e këtij njeriu virtuoz dhe të paarritshëm te artit shqiptar.

“Të nderuar familjarë të Profesor Ibrahimit,

Të nderuar kolegë, miq, studentë...

Më ra kjo barrë të jem unë ai që duhet të mbledh mendimet e gjithsecilit prej jush e t’i kthej në disa fjalë lamtumire për Artistin origjinal, Violinistin virtuoz, Pedagogun e përhershëm, Kolegun tonë të paharrueshëm - Profesor Ibrahim Madhin.

Sot, me pikëllim përcjellim një nga figurat dëshmitare dhe nga më përfaqësueset e rrugëtimit të klasës së violinës shqiptare ndër vite dhe një nga profesorët model të universitetit tonë.

Përcjellim sot njeriun e sfidave, njeriun e zgjidhjeve origjinale, simpatikun e bisedave, të Madhin para vogëlsive...

Në shenjë të mirënjohjes së thellë dhe respektit për gjithçka ai ishte, për gjithçka bëri, për gjithçka na la nga jeta e vetja e tij... ju ftoj, së bashku t’i japim duartrokitjen e fundit të dashurit, kolegut dhe mikut tonë”.

Pas fjalimit, i Nderuari Prof. Ibrahim Madhi u përcoll me duatrokitje të vazhdueshme të të pranishmëve nga shtëpia e Artit për në banesën e fundit.