Vendosje bashkepunimi

Tiranë, 13 Mars 2013 - Rektori i Universitetit të Arteve, Prof. Petrit Malaj pati një takim njohjeje dhe vendosjeje bashkëpunimi me Rektorin e Universitetit “Haxhi Zeka” Pejë, Dr.SC. Armand Krasqini.

Rektori Krasniqi shoqërohej dhe nga Dekania e fakultetit të Arteve në Pejë Prof. Dardane Nallbani.
Rektori Malaj shoqërohej në takim nga zv/ rektorët, Dekani i Fakultetit të Muzikës, Kancelaria dhe Kryetarja e Degës së Marrëdhënieve me Jashtë.

Pas një prezantimi të shkurtër të të dy universiteteve nga rektorët, u diskutua mbi mundësitë e bashkëpunimit midis universiteteve tona.
Universiteti i Pejës është ngritur në Tetor 2011. Fakulteti i Arteve si pjesë e këtij Universiteti për momentin përbëhet nga dy departamente të fushës së Muzikës. Me vitin e ri akademik pritet që të hapet edhe një departament i ri për pikturën.

Duke qenë një universitet i ri, sikurse u shpreh dhe rektori Krasniqi, Universiteti i Pejës e ka të nevojshëm bashkëpunimin dhe mbështetjen e Universitetit të Arteve në Tirane për staf akademik të specializuar si dhe mundësi përdorimi të literaturës dhe fondit të bibliotekës universitare kryesisht mbi muzikën shqiptare.

Ky takim u finalizua me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit midis dy Rektorëve duke i dhënë kështu mundësi dy universiteteve për bashkëpunime konkrete në të ardhmen sipas nevojave të fakulteteve përkatëse.
Rektori, Prof. Petrit Malaj, u angazhua se Universiteti i Arteve do të jetë i gatshëm të ndihmojë Universitetin e Pejës brenda kapaciteteve të veta.

Në fund të vizitës rektori i njohu përfaqësuesit e lartë të Universitetit “Haxhi zeka” Pejë me ambientet e Universitetit të Arteve, ku panë dhe një ekspozitë të hapur në Galerinë FAB nga fotografi i mirënjohur Roland Tasho mbi femrat e suksesshme shqiptare në botë.

Pas takimit me Rektorin Malaj, Përfaqësuesit e Universitetit të Pejës patën një takim në Fakultetin e Muzikës me Dekanin dhe përgjegjësit e dy departamenteve të këtij fakulteti.


Foto Galeri