<

Ambasadorja Polake viziton Akademine e Arteve

Rektori, Prof. Petrit Malaj, priti në një takim ambasadoren e Polonisë në Shqipëri, zonjën Irena Tatarzynska.
Duke i uruar mirëseardhjen, Z. Malaj bëri një prezantim të programeve të studimit të Akademisë së Arteve, rolit të saj në jetën social kulturore të vendit, si dhe përmendi rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet e artit në Poloni.

Zonja Tatarzynska, si njohëse e mirë e artit në Shqipëri, vlerësoi arritjet e artit shqiptar në muzike, arte skenike e ato pamore, dhe i prezantoi Rektorit Malaj projektin e ri artistik “Viti Shopenian në Shqipëri”, i cili përkon me dyqind vjetorin e lindjes së të madhit Frederik Shopen.
Aktivitetet e larmishme të këtij projekti do të shtrihen në periudhën 1 Mars – 18 Tetor 2010 gjatë së cilës Akademia e Arteve do te luajë një rol të rëndësishëm.

Rektori Malaj dhe zonja Tatarzynska vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë dhe shprehën angazhimin e tyre për nxitjen e projekteve konkrete ndërmjet institucioneve të artit të dy vendeve.