<

Fjalë Mirëseardhjeje për Vitin e Ri Akademik

Të dashur studentë!
Të nderuar profesorë dhe anëtarë të personelit ndihmës akademik të Universitetit të Arteve! 

Ky vit i ri akademik 2025-2026 në Universitetin e Arteve shënon një kapitull të ri jo vetëm për të gjithë ata të rinj që i bashkohen komunitetit tonë universitar, por edhe për vijimin e një rrugëtimi të përbashkët për dijen, artin dhe shkencën për të gjithë studentët tanë. 

Të dashur studentë të vitit të parë!

Emocioneve të hyrjes në këtë tempull të artit në Shqipëri por edhe më gjerë, i bashkohet edhe përgjegjësia e stafit akademik dhe atij ndihmës akademik, që me përkushtimin dhe përgjegjshmërinë ju mirëpresin për t’ju shoqëruar për herë të parë të bëheni pjesë në atelierët, klasat, laboratorët dhe auditorët tanë.

Ju përgëzoj për zgjedhjen tuaj të rëndësishme për të studiuar në universitetin e vetëm publik në fushën e arteve të vendit, me traditën më të gjatë akademike në këtë fushë dhe me standarde të larta cilësie.

Universiteti i Arteve nuk është vetëm një vend ku ju mund të studioni, por edhe një hapësirë që promovon krijimtarinë artistike, inovacionin, mendimin kritik, frymën e bashkëpunimit, vlerat humane dhe zhvillimin personal në rrafshin artistik dhe më gjerë, duke ju bërë pjesë të një komuniteti të gjallë artistik.

Të dashur kolegë dhe studentë!

Sot është dita e nisjes së një rrugëtimi në të cilin bashkërisht do të kontribuojmë për të krijuar një ambient sa më të përshtatshëm për zhvillimin tuaj shoqëror dhe profesional. 

Të dashur studentë!

Jini aktivë, kërkues dhe të angazhuar.

Stafi akademik dhe personeli i përkushtuar i Universitetit të Arteve do të jetë gjithmonë pranë jush për t’ju mbështetur në çdo hap të këtij rrugëtimi artistik.

Ne urojmë që të gjithë së bashku, të kontribuojmë në rritjen cilësore të edukimit si një model i formimit të ekselencës në fushën e arteve por edhe më gjerë, në Universitetin e Arteve.

Suksese dhe një vit akademik të mbarë për të gjithë së bashku!