<

Rektori i Universitetit të Muzikës, Vjenë viziton UART

Ditën e premte, datë 31 Tetor 2025, Rektori i Universitetit të Arteve, Prof. Dr. Erald Bakalli, priti në një vizitë pune Rektorin e Universitetit të Muzikës në Vjenë, Andreas Mailath-Pokorny, i cili, në të njëjtën kohë, është edhe presidenti i Unionit të Akademikëve Austriakë dhe për 18 vite Këshilltar Ekzekutiv i Qytetit për Kulturën, Shkencën dhe Sportin në Vjenë.

Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja nga afër me Universitetin e Arteve, mënyrën e organizimit dhe programet mësimore që universiteti ynë ofron. Gjatë takimit u shkëmbyen mendime lidhur me punën që bëhet në universitetet tona dhe u diskutua mbi mundësitë e bashkëpunimit midis dy universiteteve në programe mësimore me interes reciprok edhe në kuadër të programit Erasmus+.

Gjithashtu, z. Andreas Mailath-Pokorny u takua edhe me Dekanin e Fakultetit të Muzikës, Prof. Arben Llozi, Zv. Dekanin e Fakultetit të Arteve të Bukura, Prof. Asoc. Albes Fusha si dhe Zv. Dekanin e Fakultetit të Artit Skenik, Dr. Elis Mataj.

Gjatë vizitës, Rektori i Universitetit të Muzikës në Vjenë, i shoqëruar edhe nga Zv. Rektorët, Prof. Arian Paço, Prof. Asoc. Dorian Çene, si dhe drejtuesi i Sektorit të Projekteve Artistike dhe Shkencore, Prof. Pjetër Guralumi, u shoqërua nëpër klasat, atelierët dhe laboratorët e Universitetit të Arteve për t’i prezantuar kapacitetet dhe infrastrukturën mësimore në të cilën zhvillojnë veprimtarinë e tyre artistike dhe kërkimore-shkencore studentët dhe stafi akademik i universitetin tonë.

Vizita e Rektorit të Universitetit të Muzikës në Vjenë, z. Andreas Mailath-Pokorny përfundoi në mbrëmje, ku, së bashku me Rektorin e Universitetit të Arteve, Prof. Dr. Erald Bakalli dhe me Znj. Monika Zach, Ambasadore e Republikës së Austrisë në Shqipëri, ndoqën aktivitetin përmbyllës të Javës Kulturore Austriake në Tiranë, me koncertin “Turning Point” të "No Borders Orchestra", një ansambël i muzikantëve profesionistë të cilët performuan për herë të parë në Tiranë.


FOTO GALERI





 

<<Kthehu - Tjetra>>