<

Fakulteti i Arteve te Bukura

Fakulteti i Arteve te Bukura në Tiranë u themelua në 1959 dhe që nga ajo kohë ky Institucion i është përkushtuar edukimit të artistëve profesionistë nga artistë profesionistë dhe njohës të mirë të historisë dhe teorisë së artit.

Fakulteti ndodhet në Kompleksin e Godinave Universitare në Sheshin “Nënë Tereza”, në Bulevardin kryesor të Tiranës. Brenda mjediseve të shkollës, stafi, studiot dhe pajisjet e nevojshme janë të ndara në disa ambiente ose atelie, siç janë: Viti i Bazave të Përgjithshme, Grafikë Dizajn, Pikturë, Skulpturë, Pikturë e Aplikuar, Multi Media, Qeramikë, Tekstil dhe Modë, Fotografi, Video, Kompjuter. Këto atelie kanë një marrëdhënie konstruktive dhe interaktive. Studentët pranohen në atelienë e zgjedhur prej tyre në mënyrë që ata të kenë mundësinë të studiojnë në një mjedis të specializuar. Njëkohësisht mësimdhënia dhe procesi që ndiqet, krijojnë hapësirat për bashkëpunim me pedagogët, stafin, si dhe inkurajojnë punën në grup dhe bashkëveprimin midis tyre.

Një pjesë shumë e rëndësishme e programit të shkollës dhe aktivitetit të saj, përveç studiove të artit, pajisjeve dhe laboratorëve, është Galeria e Fakultetit (FAP). Në këtë Galeri ekspozohen jo vetëm punë të studentëve, por dhe të artistëve të tjerë.

Libraria e Fakultetit është një vend i rëndësishëm ku studentët dhe stafi jo vetëm marrin informacion, por zhvillojnë dhe kërkime të lidhura me procesin mësimor. Këtë vit ne patëm numrin më të madh të studentëve të regjistruar, (281 studentë) që ka shënuar historiku shkollës sonë.

Fakulteti i Arteve te Bukura të Tiranës kryen dhe inkurajon një proçes studimi, përgatitje dhe praktikimi të artit të mësimdhënies, i cili mund të karakterizohet si kërkues, eksperimentues, që nuk pranon atë që "aktualisht pritet prej tij", duke qënë vazhdimisht pjesë aktive në diskutimet dhe zhvillimet e artit bashkëkohor, brenda dhe jashtë vendit.

Studentët e Fakultetit të Arteve te Bukura pranohen dhe ndjekin programin e shkollës në vitin e parë, jo të ndarë në specialitete, por në atë që ne e quajmë Viti i Bazave të Përgjithshme. Në këtë kurs, ku mësimdhënia në atelie orientohet në katër drejtime kryesore, studentët janë bashkë si në procesin praktik, ashtu dhe në studime të teorisë, historisë së artit, proçese teknike dhe workshop-e. Në këtë fazë ata njihen me konceptet kyçe të formimit artistik.
Në fillim të vitit të dytë ata zgjedhin degën ku do të specializohen. Kjo ndodh gjatë javës së parë të vitit të dytë, ku nëpërmjet intervistave me drejtuesit e atelierëve dhe dosjeve të paraqitura, studentët shfaqin interesat dhe aftesitë e tyre. Në këtë fazë ose fazën e dytë, studentët zbulojnë dhe bëjnë zgjedhjen e tyre në drejtimin që do të ndjekin.
Faza e tretë ka të bëjë kryesisht me punë e studim të pavarur, për t’i mundësuar studentit një kontroll më të plotë në projektin e zgjedhur dhe procesin që kryen për realizimin e tij. Çdo specialitet përfaqëson jo vetëm një proçes të ndryshëm teknik, por gjithashtu të mësuarit së bashku me një grup artistësh.

Studiot tona janë më shumë se thjesht "territore private", ato janë një komunitet krijues, në të cilin artistë në faza të ndryshme të karrierave të tyre mësojnë dhe shkëmbejnë eksperienca me njëri- tjetrin.

Qëllimet kryesore të programeve tona te studimit janë:
Të njohë, mbështesë dhe zhvillojë inteligjencën vizuale individuale të studentit. Të ndërtojë tek çdo student një mënyrë të të kuptuarit të arteve nëpërmjet informimit e qëndrimit kritik, e lidhur kjo me kontekstin e nevojave të tyre krijuese dhe intelektuale. Të sigurojë, nëpërmjet punës praktike në studio dhe diskutimeve, burimet intelektuale dhe teknike që mundësojnë çdo student të përmbushë potencialin e tij krijues si një artist profesionist. Të sigurojë mësimdhënie cilësore dhe të promovojë një studim kritik; Si dhe të mundësojë debate të vazhdueshëm të cilët i shërbejnë studentëve për të dialoguar dhe artikuluar në mënyrë profesionale.

Diplomat e studentëve paraqiten e mbrohen në muajin Korrik. Ato organizohen në formën e ekspozitave në Galerinë e Shkollës dhe në Galeri të tjera e hapësira publike në qytetin e Tiranës. Këto ekspozita festojnë arritjet më të mirat të studentëve gjatë katër viteve të studimit.