<

Programi i Studimit Tekstil & Mode

Misioni i këtij atelieri është të ndërtojë tek studentët një formacion artistik, i cili më pas do t'u sigurojë atyre aftësitë për të ecur në rrugën e artit dhe të komunikimit vizual. Baza e atelierit është kreativiteti dhe mbështetja e ideve të reja. Nëpërmjet mësimdhënies, konceptuar si një proçes komunikimi krijues midis pedagogëve e studentëve, krijohet mundësia për të njohur e studiuar historinë e zhvillimin e artit tekstil; historinë e zhvillimin e veshjes; historinë dhe mundësitë e krijimit dhe aplikimit të dizajnit të veshjes (fashion design). Mësimdhënia lidh teknikat tradicionale dhe materialin historik me teknikat bashkëkohore dhe alternativat e kohës.

Respektimi dhe njohja e individualitetit dhe prirjeve të studentëve hap rrugën për ndërtimin e programeve specifike me ta.
Procesi mësimor ka një fill të qartë ku kalohet nga idetë fillestare e koncepti deri tek realizimi praktik dhe prekja me dorë, duke patur gjithnjë parasysh të gjitha kufizimet teknike, industriale dhe lidhjen me tregun. Pra, krijuesi (studenti) përgatitet për të qenë i aftë të analizojë të gjitha parametrat e një problemi të dhënë në fushat ku specializohet e së fundmi të propozojë zgjidhje.

Tekstili 3-dimensional i konceptuar si pjesë e arkitekturës bashkëkohore dhe ai i veshjes (fashion design) janë pjesë aktive e këtij programi, ku pretendojmë të jemi pjesë e alternativave të fushës dhe prurjeve më të reja të kohës.

Laboratori i Tekstilit krijon mundësinë për të mësuar teknikat e endjes, ngjyrosjes, printimit dhe proceseve përmbyllëse. Në të gjenden hapësira të specializuara për printim me sita mëndafshi dhe printim këmishësh, ku ndodhen tavolinat e printimit dhe pajisjet larëse. Në laborator pjesë e rëndësishme e mësimit të teknikave të endjes dhe elementëve të parë të skulpturës së butë janë tezgjahet. Qëllimi i proceseve të kryera në laborator është të kuptuarit bazë i tekstileve nëpërmjet eksperiencave direkte me materialin. Ne mbështesim idetë që lindin mbi manipulimin e materialeve, ngjyrave, teksturave e proporcionit. Njohja e proçeseve teknike ndihmon studentët dhe imagjinatën e tyre në ndërtimin dhe realizimin e projekteve.

 

::. Plani Mesimor i Sistemit 4 Vjecar te Studimit

::. Plani Mesimor i Sistemit Bachelor (3+2) te Studimit