Ceremonia e Fillimit te Sezonit te Provimeve
Diten e Premte, me 12 Qershor 2009 ora 20:30, u zhvillua Ceremonia e Fillimit te Sezonit te Provimeve ne Amfiteatrin Veror te Akademise se Arteve, me pjesemarrjen e trupes pedagogjike dhe studenteve te te treja Fakulteteve.
Fjala pershendetese e Rektorit, Prof. Petrit Malaj:
"Të nderuar studentë, kolegë, pedagogë, miq dhe të ftuar,
Jemi sot së bashku në këtë takim në mbyllje të vitit akademik për të festuar dhe për të uruar njeri-tjetrin për fillimin e sezonit të provimeve. Ky muaj provimesh padyshim që do të jetë i vështirë, por si çdo herë i mbushur me arritje të rëndësishme artistike që kanë shoqëruar gjithmonë proçesin tonë metodik e krijues. Këto arritje si çdo vit kanë për protagonistë pedagogët dhe studentët tanë në të tre fakultetet, në atë të Muzikës, të Skenikut dhe të Arteve të Bukura. Një rol të pazëvendësueshëm ka luajtur dhe luan sektori ndihmës, administrativ të cilët i falenderojmë dhe u jemi mirënjohës.
Për të vazhduar këtë traditë të jashtëzakonshme, unë ju bëj thirrje që edhe këtë vit si çdo vit paraardhës, klasat, skenat, dhe atelieret tanë të kthehen në ambiente të hapura jo vetëm për akademikët, profesionistët dhe të interesuarit e fushave, por edhe për artdashësit e shumtë të Tiranës dhe gjithë vendit. Gjatë këtij muaji, nëpërmjet mjeteve të informimit që kemi në dispozicion dhe përpjekjeve të secilit nga ne, të gjithë artdashësit në Shqipëri duhet ta dinë që Akademia e Arteve kthehet në një qytet të vogël artistik, e aftë dhe e denjë për të ofruar produkte artistike me nivel të lartë në muzikë, në artet skenike dhe film si dhe në artet pamore duke përfshirë këtu gjithë mediumet artistike.
Më lejoni të shtoj këtu se ky muaj provimesh është produkt i dhjetëra aktivitetesh të rëndësishme të shtrirë gjatë gjithë vitit brenda Akademisë dhe jashtë saj, aktivitete që kanë patur për protagonistë studentë dhe pedagogët tanë, aktivitete të kuotuara nga profesionistë dhe kolegë nga vendi dhe të ftuar si të një cilësie të lartë.
Në mbyllje të kësaj përshendetje të shkurtër, më lejoni edhe një herë që t’ju bëj thirrje ju të dashur studentë dhe pedagogë të të tre fakulteteve që duke filluar nga data 15 e këtij muaji e në vazhdim, çdo ditë paradite e pasdite, do të ketë një ngjarje, një provim, qoftë ky në muzikë, pikturë apo në teatër, në skena, atelier, në klasa apo ne galeri. Bëhuni edhe ju pjesëmarrës në këto shfaqje edhe pse jo në debatet që zhvillohen pas tyre dhe të jemi të gjithë të bindur që pas këtij sezoni të jetuar intensivisht do të dalim të gjithë më të pasur e të rritur artistikisht.
Pra edhe një herë provime të mbara e të suksesshme të gjithë së bashku studentë dhe pedagogë."
<<Previous - Next>>