<

Fakulteti i Muzikes

Fillimet e Fakultetit të Muzikës (FM) datojnë më 15 janar të vitit 1962, me çeljen e Konservatorit Shtetëror të Tiranës. Katër vjet më vonë, më 1966, prej bashkimit të tre shkollave të larta artistike të pavarura, shkolla e dramës Aleksandër Moisiu (1959) dhe ajo e Arteve Pamore (1959), Konservatori u përfshi në Institutin e Lartë të Arteve si një ndër tre degët përbërëse të tij. Pavarësisht këtij statusi, Dega e Muzikës në Institutin e Lartë të Arteve, ashtu si edhe dy të tjerat, veproi që prej asaj kohe si një degë e pavarur. Më 1989, të tri degët e Insituti i Lartë i Arteve u shndërruan në fakultete, duke e ruajtur këtë cilësi edhe pas vitit 1991 kur ILA mori emrin Akademia e Arteve, dhe me pas Universiteti i Arteve.

Fakulteti i Muzikës ka rreth 400 studentë, 200 pedagogë dhe ofron rreth 20 programe studimi dhe diploma.
Struktura e Fakultetit të Muzikës është e organizuar në dy departamente:
1) Departamenti i Interpretimit (DI), me programet e studimit: Piano, Harqe, Instrumente frymore, Muzikë dhome, Kanto dhe Piano shoqërim dhe lexim partiture;
2) Departamenti Kompozicion-Dirigjim-Muzikologji (KMD) me programet e studimit: Kompozicion, Dirigjim, Muzikologji dhe Pedagogji muzikore.

Që prej vitit 2008 Fakulteti i Muzikës ka përshtatur strukturën e re universitare (sipas Kartës së Bolonjës) me dy cikle mësimore (3+2), me Master të Nivelit të Parë (MNP) të përfshirë (+2). FM organizon gjithashtu edhe studime pasuniversitare Master të Nivelit të Dytë (MND) në një cikël dy-vjeçar pa shkëputje nga puna. Aktualisht ky fakultet jep diploma MND për solistë dhe muzikë dhome në programet studimore të instrumenteve piano, violinë, violonçel, flaut dhe klarinetë, si edhe në kompozicion dhe muzikologji. Kjo e fundit në drejtimet etnomuzikologji, histori muzike dhe teori muzike. Pranimi i studentëve në Fakultetin e Muzikës dhe në MND bëhet me konkurs.

Fakulteti i Muzikës zhvillon një jetë artistike aktive, të programuar sipas një kalendari shtrirë në dy të stinë koncertore me pjesëmarrje të studentëve dhe pedagogëve. Koncertet mbahen në sallën e madhe të Akademisë së Arteve gati në çdo javë të vitit akademik. Këtu përfshihen edhe koncertet me vepra të studentëve të klasës së kompozicionit. Krahas formacioneve të ndryshme të muzikës së dhomës FM ka dy orkestra sinfonike, një orkestër frymore, një Big Band dhe dy orkestra harqesh që krahas planit të detyruar mësimor mbajnë koncerte të programuara brenda stinëve koncertore. Po kështu edhe klasa e operës dhe kori.

Mjediset mësimore të FM janë të përqendruara në godinën kryesore të Universitetit të Arteve, ku ndodhet edhe zyra e Dekanit të FM dhe sekretaria e fakultetit si dhe në një godinë të pjesës së mbrapme të shkollës e pajisur gjithashtu me një numër studiosh idividuale si edhe me lektoriumin e Universitetit të Arteve. Krahas sallës së madhe të koncerteve në godinën qëndrore të FM gjendet Salla Çesk Zadeja, e cila shërben kryesisht si mjedis pune i orkestrave por edhe për mbajtjen e koncerteve të muzikës së dhomës dhe organizimin e seminareve, workshope-ve, etj. Një mjedis tjetër i rëndësishëm pune është edhe Fonoteka e cila ndodhet në godinën e pasme të Akademisë së Arteve, përbri Sallës së Bibliotekës. 

Në vitin akademik 2009 – 2010 në Akademinë e Arteve (sot Universiteti i Arteve), në Fakultetin e Muzikës me vendim nr. 829, datë 29.07.2009 të Këshillit të Ministrave, u hap program i studimit të ciklit të tretë “ Master i nivelit të dytë “.
Ky program studimi do të ofrojë diploma në kompozim, muzikologji, dhe interpretim. Diploma e interpretimit do të ketë profilet : piano, violinë, violonçel, klarinetë, flaut dhe muzikë dhome.

Program i studimit “Master i nivelit të dytë “ u hap me qëllim kualifikimin e stafit akademik aktual, po ashtu dhe për kualifikimin e artistëve të rinj të cilët kanë mbaruar Universitetin e Arteve.

Vendimi i Keshillit te Ministrave (pdf)